Emocionet e fëmijëve dhe sfidat sociale

Në përditshmërinë intensive që po jetojmë, në përqëndrimin gjithnjë e më të madh që kemi ndaj mirërritjes së fëmijëve, na paraqiten sfida ndaj botës emocionale delikate të fëmijëve. Kjo brishtësi emotive kërkon vëmendje specifike nga ana e prindërve dhe kujdestarëve. Ndryshimet e shpejta sociale dhe emocionet e fëmijëve kanë lidhje tashmë të dukshme edhe nga studimet që publikohen në vazhdimësi.

Edhe pse duket sikur fëmijët përshtaten lehtë ose nuk e vënë re ndryshimin e vrullshëm social, sërisht ata paraqesin veprime komplekse të diskutueshme në ambientet familjare dhe ato edukativo-arsimore. Mendojmë se ata nuk dëgjojnë të rejat, nuk e kanë vëmendjen në shqetësimet e të rriturve, nuk lexojnë emocionet e tyre. Në fakt gabojmë. Mos harrojmë se termi "sfungjer" që vendosim për fëmijët në lidhje me aftësinë e tyre për të përthithur informacion, është i barazvlefshëm edhe për emocionet.

Familjet nuk janë më në strukturën e zgjeruar si në të paktën një brez më herët, teknologjia është në duar të fëmijëve shumë më herët se ata të zhvillojnë aftësitë e tyre bazë komunikuese, e aq më pak mendimin kritik, ankthi e stresi po faturohen edhe tek fëmijët, dilemat etike, paragjykimet e shumë më intensivisht kohën e fundit edhe ngjarjet negative globale. Këto janë disa nga pikat në listën e gjatë të arsyeve të shqetësimeve që po paraqesin fëmijët. 



Ata nuk janë të vetëdijshëm për këto ndryshime të cilat po i shqetësojnë, por prindërit munden të jenë më të vëmendshëm përsa i përket ekspozimit të fëmijëve drejt këtyre faktorëve dhe efeteve negative që po paraqesin duke kundërshtuar çuditshëm, ndryshuar rritmin e gjumit dhe ngrënies, dëshirë për të qëndruar vetëm, e shumë e shumë të tjera. 

Nëse disa ditë kalojnë pa parë ndryshime edhe pas komunikimeve që ndërtoni prind-fëmij, atëherë kërkoni ndihmën e psikologëve.